Situata me shqiptarët në Izrael, Jakoe: Jemi mirë, por të trembur…

Situata në Izrael vijon të jetë e tensionuar pas sulmeve me raketa që ushtria e Hamasit lëshoi në Izrael të shtunën e 7 Tetorit. Për rrjedhojë zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, njoftoi sot se vendi ka thirrur rreth 300.000 ushtarë rezervistë si përgjigje ndaj sulmit befasues nga militantët e Hamasit. Në lidhje me konfliktin në […]

Tetor 9, 2023 - 14:10
 0
Situata me shqiptarët në Izrael, Jakoe: Jemi mirë, por të trembur…

Situata në Izrael vijon të jetë e tensionuar pas sulmeve me raketa që ushtria e Hamasit lëshoi në Izrael të shtunën e 7 Tetorit.

Për rrjedhojë zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, njoftoi sot se vendi ka thirrur rreth 300.000 ushtarë rezervistë si përgjigje ndaj sulmit befasues nga militantët e Hamasit.

Në lidhje me konfliktin në vend dhe situatën e shqiptarëve atje, foli në studion e Klan News nëpërmjet një lidhje me Skype, Felicita Jakoel, kryetare e miqësisë Shqipëri-Izrael.

Kujtojmë se mbrëmjen e së dielës mbërriti në Shqipëri avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kërkuan të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Zonja Jakoel tha për Klan News, se për fat të mirë shqiptarët që jetojnë në Izrael janë mirë, por të trembur nga gjendja e luftës. Ajo tha se në Izrael jetojnë rreth 500 shqiptarë në total, kryesisht të përqendruar në veri dhe qendër të Izraelit.

“Në përgjithësi shqiptarët jetojmë në qendër dhe në veri të Izraelit, por ka një grup që jeton në jug. Për momentin asnjë nga ne nuk është në rrezik. Të gjithë janë të sigurt. Në Izrael jetojnë rreth 500 shqiptarë. Tamam shqipfolës janë 300, 350 veta. Për fat të mirë të gjithë janë mirë”, u shpreh zonja Jakoel.

Kryetarja e miqësisë Shqipëri-Izrael e përshkroi situatën atje të frikshme, duke thënë se ditët e para ishin një dëshpërim i madh për banorët e Izraelit, duke e cilësuar ushtrinë e Hamasit “të pamëshirshme”.

“Ditët e para ishte një dëshpërim i madh… Bota duhet të kuptojë që kemi të bëjmë me një organizatë gjakatare, të pamëshirshme. Ashtu si bota përballoi ISIS, njëjtë duhet të përballojë edhe Hamasin”, tha kryetarja e miqësisë Shqipëri-Izrael.

Ajo tha se situata është më delikate në jug të vendit.

“Në zonat e jugut nuk mund të flitet për normalitet, aty flitet për të evakuuar popullatën, për ne të tjerët (në veri dhe qendër) ndjehet që jemi në luftë, ashtu sikur se e ndjej unë që jam në shtëpinë time. Para 10 minutash dëgjova një sirenë… Shkollat janë të mbyllura, edhe dyqanet, përveç supermarketeve. Jemi në gjendje të jashtëzakonshme”, tha Felicita Jokela.

Jakoel thotë se 40 shqiptarët që u kthyen mbrëmë në Shqipëri janë turistë që kishin shkuar pushime në Izrael. Për sa i përket shqiptarëve që jetojnë atje, ajo tha se nuk mendojnë të largohen nga vendi, pasi për momentin nuk janë në rrezik. Vetë personalisht ajo nuk ka menduar të largohet nga Izraeli.

“Personalisht nuk mund të lëviz, kam vajzën këtu, është e fejuar, shoku i saj është i mobilizuar. Ne në këtë moment ndjejmë se duhet ta kapërcejmë këtë moment depresiv. Tani dalëngadalë po e marrim veten… Bota duhet të dijë që Izraeli po përballet me forcat më të errëta që ka njerëzimi. Nga një forcë që është e mbështetur nga forcat më të errëta që ka sot njerëzimi, Irani”, u shpreh për Klan News kryetarja e miqësisë Shqipëri-Izrael.

Autoritetet e shëndetësisë njoftuan sot se në Rripin e Gazës kanë humbur jetën 493 persona si pasojë e bombardimeve nga Izraeli. Ndërkohë 2751 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, Kombet e Bashkuara thonë se mbi 123 mijë persona në Gaza janë larguar nga banesat e tyre më së shumti “për shkak të frikës, mbrojtjes dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre”.

Rreth 73 mijë persona janë duke u strehuar nëpër shkolla. Adnan Abu Hasna, zëdhënës për OKB për refugjatët palestinezë tha se numrat pritet të rriten.

“Në këto shkolla ka elektricitet. Ne po u ofrojmë atyre ushqim, ujë, mbështetje psikologjike dhe trajtim mjekësor”, tha ai.

Në Gaza jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Para se të niste sulmet, Izraeli paralajmëroi njerëzit që jetonin në zona të caktuara që të largoheshin.

/a.r

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.