SPAK mbyll hetimet, dërgohen për gjykim persona që porositën vrasjen e Inez Hajrullaut

SPAK ka mbyllur dosjen dhe ka çuar në gjykim 4 të pandehur për akuzën e vrasjes së Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajn  ngjarje

Maj 16, 2024 - 11:50
 0
SPAK mbyll hetimet, dërgohen për gjykim persona që porositën vrasjen e Inez Hajrullaut

SPAK ka mbyllur dosjen dhe ka çuar në gjykim 4 të pandehur për akuzën e vrasjes së Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajn  ngjarje e ndodhur në Vlorë në mars 2023.

Sipas SPAK vrasja ishte porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.148/1, të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve Leonard Luzi ( Zejno, Sejno), Amarildo Nikolli (Xhanej), Muharem Koroveshi (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejno, të akuzuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar përkatësisht nga nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a/1/2, dhe 334, të Kodit Penal.

Hetimet provuan se vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit. Rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erigert Zejno. Në lidhje me këtë ngjarje në datën 17.08.2013, u krye arrestimi i shtetasve Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Në datën 21.04.2014, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur pushimin e hetimeve për të hetuarit Ervis Matodashaj etj., për mungesë provash, dhe në datën 04.12.2014, hetimet e këtij procedimi janë pezulluar për zbulimin e autorëve.

I pandehuri Leonard Luzi (Zejno), i dërguar për gjykim, është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejno, vrarë më datë 22.03.2013, në lagjen “11 Janari”, Vlorë. Hetimet provuan se i pandehuri Leonard Luzi, është financuar nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e dy shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.

Për këtë qëllim, i pandehuri Leonard Luzi, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori material i veprës penale, si dhe të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit. Të pandehurit Muharem Koroveshi, dhe Erio Zejno, kanë sjellë armët në banesën e të pandehurit Amarildo Nikolli në Vlorë, kanë ndihmuar në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin Amarildo Nikolli, në largimin nga vendi i ngjarjes (pas kryerjes së vrasjes).

Vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, nuk u bë e mundur, pasi në datën 07.08.2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik kryer ndaj të pandehurit Amarildo Nikolli, nga shërbimet e policisë të Sektorit “Fast Albania”, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës Pietro Beretta, Mod 92 FS, cal.9, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 (katërmbëdhjetë) fishekë, të kalibrit 9 mm, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes. Ka rezultuar se ditën e arrestimit të tij, i pandehuri Amarildo Nikolli, kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur prej të pandehurit  Leonard Luzi.

Pas dërgimit për gjykim të procedimit penal në ngarkim të katër të pandehurve të mësipërm, vazhdojnë hetimet në kuadër të një procedimi penal të ndarë, i cili synon zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në kryerjen e veprave penale.

Kush është Inez Hajrulla:

Emri i Inez Hajrullës është mjaft i njohur për shkak se ka qenë shpesh shënjestër e atentateve në Vlorë, ndërsa u ka shpëtuar më herët dy tentativave të tjera për ta vrarë, fillimisht në vitin 2017 dhe më pas në 2019.

Inez Hajrullës i është bërë atentat me tritol edhe në vitin 2017. Ai ka qenë dy herë i arrestuar për armëmbajtje pa leje, i akuzuar edhe për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013. Hajrulla është shoqëruar dhe hetuar edhe për pengmarrjen dhe zhdukjen e Elvis Troqes. Lokali ku ndodhi në zonën që frekuentohej nga Edison Harizaj i vrarë në Durrës në 2018-ën. 27-vjeçari Hajrulla, djalë i biznesmenit vlonjat, Robert Hajrulla, njihet si person me rrezikshmëri në Vlorë.

Gjithashtu nga gjykata e Vlorës Hajrulla është dënuar në 5 shkurt 2018 me 2 vite burgim për akuzën e “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Por ky dënim me burgim është pezulluar duke e kaluar Inezin në shërbim prove. Por në 28 dhjetor 2018 Inez Hajrulla dënohet sërish nga gjykata e Vlorës me 8 muaj burgim për akuzën e “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga ana e policisë në 18 korrik 2018, një ditë pas zhdukjes së Troqes, është shkuar në banesën e shtetasit Inez Hajrulla (Ini), ku ky shtetas është gjetur në banesë me paterica dhe me një këmbë. Ai u pyet në lidhje me rrethanat e hetimit, ku ka shpjeguar se më datë 17 korrik 2018, ka qenë në banesën e tij dhe rreth orës 16:30 ka dalë nga banesa ku ka ardhur dhe e ka marrë Denis Karafilin (i arrestuar) me automjetin “Golf 5” ngjyra e zezë dhe ka shkuar për të bërë fizioterapi, tek një klinik private në vendin e quajtur mbas “Market Conad”.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.