Stoltenberg: E rëndësishme që NATO ka shtuar praninë në Kosovë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në nisje të takimit të ministrave të mbrojtjes të Aleancës në Bruksel deklaroi se është e rëndësishme shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. I shoqëruar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili ndodhet në selinë e NATO-s për [...]Read More...
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në nisje të takimit të ministrave të mbrojtjes të Aleancës në Bruksel deklaroi se është e rëndësishme shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.
I shoqëruar nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili ndodhet në selinë e NATO-s për të marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës të udhëhequr nga SHBA, së bashku me më shumë se 50 vende, Stoltenberg foli për atë çfarë do të diskutojnë ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
Ai tha se temë diskutimi do të jetë mbështetja për Ukrainën, forcimi i parandalimit dhe mbrojtjes, operacionet dhe misionet e NATO-s dhe situatën në Lindjen e Mesme.
“Ne nesër do të takohemi dhe do të trajtojmë parandalimin dhe mbrojtjen. Ne ramë dakord për planet e reja të mbrojtjes në samitin Vilnius dhe tani gjithçka ka të bëjë me zbatimin e këtyre planeve të mbrojtjes me 300.000 trupa në gatishmëri të lartë. Ne gjithashtu do të trajtojmë misionin dhe operacionet e NATO-s, duke përfshirë praninë tonë në Irak, duke ndihmuar në parandalimin e kthimit të ISIS-it, si dhe praninë tonë në Kosovë, ne kemi parë tensione të shtuara atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, deklaroi Stoltenberg.
Pas agresionit serb në fshatin Banjskë të Zveçanit, Britani e Madhe nisi 200 trupa shtesë në Kosovë, ndërsa është paralajmëruar se do të vijnë trupa shtesë nga Rumania si dhe nga Gjermania./Kosovapress
What's Your Reaction?