Stuhia dhe dëbora ‘paralizoi’ veriun dhe juglindjen: Ja si paraqitet situata nga moti i keq në të gjithë vendin

Prej mbrëmjes së djeshme i gjithë territori i vendit nga jugu në veri u përfshi nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, shoqëruar edhe me erëra të forta, ndërsa problemet e para u raportuan mëngjesin e sotëm. Intensiteti i lartë i reshjeve ka krijuar vështirësi në disa prej akseve rrugore. Në […]

Janar 20, 2024 - 20:00
 0
Stuhia dhe dëbora ‘paralizoi’ veriun dhe juglindjen: Ja si paraqitet situata nga moti i keq në të gjithë vendin

Prej mbrëmjes së djeshme i gjithë territori i vendit nga jugu në veri u përfshi nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe dëbore, shoqëruar edhe me erëra të forta, ndërsa problemet e para u raportuan mëngjesin e sotëm.

Intensiteti i lartë i reshjeve ka krijuar vështirësi në disa prej akseve rrugore. Në Rrugën e Arbrit po punojnë 5 borëpastruese për zhbllokimin e saj, ndërsa në pjesën e bypass-it të Murrizit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të vështirësive në qarkullim.

Ky bypass u bllokua për shkak të mjeteve të pa pajisura me goma dimri, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë për zhbllokimin e tij. Reshje bore vijon të ketë edhe në rrugën e Kombit, por qarkullimi i mjeteve është i mundur edhe aty. Në segmentet Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel vazhdojnë reshjet e dëborës. Mjetet borëpastruese po punojnë pa ndërprerje dhe segmentet janë të hapura. Në aksin malor Vau Dejes-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore, ku në Qafë Mali arrijnë deri në 50cm. Në terren po punohet me 4 borëpastruese, qarkullimi kryhet me vështirësi, sidomos në segmentin Fierzë-Qafë Shllak ku ka erë të fortë që e përhap borën nga bankina në rrugë, duke sjellë edhe prezencë të orteqeve, çka vështirëson punën e borëpastrueseve

Edhe në akset Qafë Plloçë-Maliq, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë kanë nisur reshjet e dëborës me intensitet, por po punohet me borëpastruese për pastrimin e tyre. Qarkullimi vijon normalisht..

Aksi rrugor “Librazhd-Qafë thanë” është përfshirë nga reshjet e dëborës, dhe aktualisht lëvizja e automjeve kryhet vetëm me zinxhirë. Ky aks u bllokua për pak orë, ndërsa pas zhbllokimit nuk lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë.

Si pasojë e motit të keq raportohet për 37 fidera jashtë pune. Situata më e rënduar me defekte konstatohet në rajonin e Burrelit, Shkodrës dhe Kukësit. Defektet më së shumti janë evidentuar në zonat e thella rurale ku linjat janë ajrore.

Për situatën e krijuar nga moti reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një statusi në rrjet tha se Mbi 1500 punonjës janë angazhuar në terren në të gjithë vendin nga ana e OSSH për të mundësuar ndërhyrjen në një kohë sa më të shpejtë për çdo problematikë.

Ftojmë qytetarët të evitojnë lëvizjen e pa nevojshme, deri në normalizimin e situatës. Puna në terren po vijon në çdo zonë ku janë raportuar problematika”, thotë kryeministri në statusin e tij.

Ndryshe nga rrugët tokësore, ato në portin e Durrësit dhe të Vlorës  situata paraqitet normale. Tragetet kanë mbërritur në kohë dhe në terminalet portuale vijon pa ndërprerje përpunimi i mallrave. Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka vijuar punën normalisht pa vonesa apo anulime. Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit nuk janë evidentuar problematika.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.