Sulmi i 6 janarit, ish-udhëheqësi i “Proud Boys” dënohet me 22 vjet burg
Ish-udhëheqësi i grupit “Proud Boys”, Enrique Tarrio, u dënua të martën me 22 vjet burg për orkestrimin e një komploti të dështuar për
Ish-udhëheqësi i grupit “Proud Boys”, Enrique Tarrio, u dënua të martën me 22 vjet burg për orkestrimin e një komploti të dështuar për të mbajtur ish-presidentin Donald Trump në pushtet, pasi republikani humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Dënimi i së martës mbyll një prej çështjeve penale më të rëndësishme lidhur me sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.
Dënimi për kreun e grupit, Tarrio është më i gjati deri tani midis më shumë se 1,100 rasteve të trazirave të Kapitolit.
Themeluesi i grupit “Oath Keepers” Stewart Rhodes dhe ish-udhëheqësi i “Proud Boys” Ethan Nordean u dënuan të dy me nga 18 vjet burg lidhur me rolin e tyre në ngjarjet e 6 janarit.
Prokurorët kishin kërkuar 33 vjet burgim për Tarrion, edhe pse ai ishte arrestuar dhe urdhëruar të largohej nga Uashingtoni, në kohën kur anëtarët e grupit ‘Proud Boys’, iu bashkuan mijëra mbështetësve të zotit Trump në Kapitol. Por prokurorët thonë se Tarrio organizoi dhe udhëhoqi sulmin e grupit nga larg, duke frymëzuar ndjekësit me karizmën dhe prirjen e tij për propagandë.
Ai ishte akuzuar për konspiracion për rebelim një vepër e rrallë, e sjellë nga epoka e Luftës Civile, për të cilën Departamenti i Drejtësisë akuzoi anëtarët e grupeve të ekstremit të djathtë, që luajtën një rol kyç në sulmin e 6 janarit.
“Duke përdorur platformën e tij të fuqishme, Tarrio ka treguar vazhdimisht dhe publikisht se nuk është penduar që ndihmoi lidhur me atë që ndodhi më 6 janar”, shkruhej në një dosje gjyqësore.
Avokatët e 39 vjeçarit nga Majami mohojnë se grupi “Proud Boys” kishte planifikuar të sulmononte Kapitolin.
Së fundmi Departamenti i Drejtësisë ka paditur edhe zotin Trump për komplot për të përmbysur sistemin demokratik amerikan, duke akuzuar ish-presidentin për komplot në ditët para sulmit, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve që e shpallnin atë humbës.
Zoti Trump, i cili është kandidati kryesor i republikanëve për zgjedhjet presidenciale 2024, këmbëngul se nuk ka shkelur ligjin. Gjyqi ndaj tij mbi këtë çështje është caktuar më 4 mars.
Më shumë se 1,100 persona janë akuzuar për krime federale në lidhje me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit. Më shumë se 600 prej tyre janë dënuar dhe mbi gjysma, kanë marrë masa ndëshkimore me burgim./VOA/
What's Your Reaction?