Sulmi izraelit vrau 7 punonjës humanitarë, shkarkohen nga detyra 2 oficerë pas hetimeve
Një hetim nga Izraeli për vrasjen e shtatë punonjësve të ndihmave në një sulm ajror në Gazë këtë javë, arriti në përfundimin se
Sipas hetimit, forcat izraelite kishin menduar se po godisnin anëtarë të armatosur të Hamasit kur qëlluan me dronë tre automjetet e organizatës humanitare World Central Kitchen të hënën vonë. Po ashtu hetimet zbuluan edhe shkelje të procedurave standarde.
“Goditja e automjeteve të punonjësve të ndihmave është një shkelje e rëndë që ndodhi nga një dështim serioz që çoi në identifikimin dhe vendimmarrjen e gabuar, si dhe në kryerjen e sulmit në kundërshtim me Procedurat Standarde të Operacioneve,” tha ushtria në një deklaratë të premten.
Vrasja e shtatë punonjësve të ndihmave, mes së cilëve shtetas të Britanisë, Australisë dhe Polonisë, një shtetas me dyshtetësi kanadeze dhe amerikane dhe një koleg i tyre palestinez, shkaktoi indinjatë në gjithë botën këtë javë.
Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se do të ketë një ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit nëse ai nuk minimizon dëmin ndaj civilëve dhe punonjësve të ndihmave në Gazë.
Ushtria tha se autokolona e ndihmave, që po shoqërohej nga tre makinat e World Central Kitchen, kishte ndalur në një depo për t’u shkarkuar.
Një burrë i armatosur ishte parë mbi njërin prej kamionëve dhe ndërsa tre automjetet shoqëruese të organizatës u larguan nga depoja, komandantët nuk arritën t’i identifikonin ato si automjete të World Central Kitchen (WCK), thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Yoav Har-Even, kreu i ekipit të hetimit, tha se forcat e ushtrisë nuk kishin mundur të shihnin në errësirë logot e WCK-së mbi makina dhe kishin besuar gabimisht se ato ishin marrë nga luftëtarët e Hamasit.
“Ata besonin se misioni humanitar kishte përfunduar dhe se automjetet që po gjurmonin i takonin Hamasit dhe identifikuan gabimisht si luftëtar të armatosur të Hamasit të paktën një person brenda njërës prej tre makinave,” u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi.
“Ata e goditën automjetin dhe më pas panë persona që dolën nga njëra makinë dhe hynë në një makinë të dytë dhe në atë moment vendosën të godasin makinën e dytë. Më pas dy persona dolën nga makina e dytë dhe hynë në një të tretë dhe në atë moment u godit edhe makina e tretë”, tha zoti Har-Even.
Sulmet ishin në shkelje të procedurave standarde të të vepruarit të IDF-së, tha ai.
Ushtria tha se kishte shkarkuar një shef të një shtabi brigade me gradën kolonel dhe një oficer me gradën major, si edhe u bëri vërejtje zyrtare ushtarakëve të lartë, përfshirë gjeneralin që kryeson Komandën Jugore.
Por World Central Kitchen kërkoi krijimin e një komisioni të pavarur për të hetuar vrasjet, duke thënë në një deklaratë se hetimin nga IDF-ja nuk mund të jetë i besueshëm.
Jose Andres, kuzhinieri i famshëm dhe themeluesi i organizatës bamirëse World Central Kitchen, kishte thënë pas sulmit se shtatë punëtorët ishin vënë në shënjestër “sistematikisht, nga makina në makinë” ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin zjarrit duke shkuar në makinat e tjera.
Ushtria premtoi se përfundimet e hetimit do të shërbenin për të nxjerrë mësime për të ardhmen./ VOA
What's Your Reaction?