Tre arratisjet nga burgu dhe rrëmbimi i Jan Prengës/ Dritan Rexhepi ishte me Kodin e Kuq në listën e Interpolit
Dritan Rexhepi, 43-vjeç, i lindur në fshatin Velçë të Vlorës, është shqiptari i parë i njohur ndërkombëtarisht si një nga kriminelët më të fuqishëm. Aktivitetin e tij kriminal e nisi që në moshën 18-vjeçare, në vitin 1998, kur qëlloi me breshëri kallashnikovi ndaj dy efektivëve të policisë duke i lënë të vdekur në vend. Për këtë […]
Dritan Rexhepi, 43-vjeç, i lindur në fshatin Velçë të Vlorës, është shqiptari i parë i njohur ndërkombëtarisht si një nga kriminelët më të fuqishëm. Aktivitetin e tij kriminal e nisi që në moshën 18-vjeçare, në vitin 1998, kur qëlloi me breshëri kallashnikovi ndaj dy efektivëve të policisë duke i lënë të vdekur në vend. Për këtë krim ai dyshohet se u pagua, duke u bërë kështu i pari vrasës me pagesë në Shqipëri. U arrestua në vitin 2006 në Tiranë, në një hotel dhe u transferua në policinë e Durrësit. Atë mbrëmje Rexhepi u arratis, pasi hapi një bravë me defekt dhe i tha rojës që policia kishte mbaruar punë me të. Gjykata e dënoi më vonë në mungesë me 25 vite burg.
Dritan Rexhepi u largua drejt Italisë, duke nisur dhe aktivitetin kriminal jashtë vendit. Ai u arrestua në vitin 2008 në Holandë për llogari të shtetit italian, pasi kërkohej për trafik droge. Autoritetet e shtetit fqinj, e dënuan me 16 vite e 5 muaj burg. Nga qelitë e vendit fqinj, ai u arratis në vitin 2011. Në burgun e Voghera, 43-vjeçari arriti të largohet pasi sharroi hekurat e dhomës së izolimit. Atij i ka mbetur për të vuajtur dënim në Itali edhe 13 vite, 8 muaj e 6 ditë.
Gjatë kohës që u transferua në vendet evropiane, Gjykata e Fierit e dënoi në mungesë në vitin 2015 me 4 vite heqje lirie, për falsifikim të dokumenteve, vulave dhe stampave.
Rexhepi tashmë kishte hyrë në regjistrat e policive evropiane si një person me rrezikshmëri të lartë. Gjatë kësaj kohe aktiviteti i tij kriminal u shtri edhe në Spanjë. Bashkë me disa persona të tjerë, grabiti një nga bankat e Barcelonës. Rexhepi u ekstradua nga Spanja në Belgjikë, ku kërkohej për krime të rënda. U dërgua në burgun e Antverp-it, dhe sërish arriti të arratiset duke u ngjitur mbi një mur.
Pas kësaj ngjarje ai u vendos në Ekuador, ku aktiviteti i tij kryesor, ishte trafiku ndërkombëtar i drogës. Transferimi në Amerikën Latine e fuqizoi më shumë vlonjatin Rexhepi.
Pas disa vitesh ai u arrestua dhe në qelitë e burgut ai krijoi aleanca me narko-trafikantët më të mëdhenj të Ekuadorit. Gjatë kohës që qëndronte në burgun e Kuitos, arriti të nisë dërgesa kokaine me anë të telefonit, edhe pse në qeli.
Një nga sasitë e kokainës që nisi drejt portit të Portsmuth në Angli, dyshohet se iu rrëmbye nga Astrit Prenga. Në shenjë hakmarrje, Rexhepi akuzohet se urdhëroi rrëmbimin dhe zhdukjen e të vëllait, Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Kamëz. Për këtë ngjarje, Rexhepi po gjykohet nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Ndërkohë që ndodhej në burg në 2021 ai kërkoi lirimin me kusht, që iu pranua, për të mos u larguar nga Ekuadori. Në këtë shtet Rexhepi njihej me emrin Lulzim Murataj. Favorizimi për t’u liruar me kusht iu bë për shkak të sjelljes së mirë, nuk tentoi të arratiset, apo kishte dhe një raport pune. Ai drejtonte kartelin ndërkombëtar të drogës, me emrin “Kompania Bello”, që transportonte drogë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Rexhepi në Ekuador humbi gjurmët në 10 shkurt të 2022. Prej asaj kohe dyshohet se qëndroi në disa shtete, mes tyre dhe Turqinë, ku dhe u arrestua.
Rexhepi është gjithashtu është i dënuar edhe nga Gjykata e Firences me 20 vite burg, si pjesë e grupit “Los Blancos” që trafikoi në Evropë sasi të mëdha të kokainës. Për tonelatat e dërguara nga Amerika Latine figuronte me kodin e kuq në listën e Interpolit, për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
/a.r
What's Your Reaction?