U arrestua polici trafikant në Sarandë/ Zv.Ministri Lamallari: Vetëpastrimi i policisë nuk ka kthim pas

Një skemë të mirëfilltë kriminale kishte ngritur efektivi i policisë Redion Bello, i cili në vend që të punonte për zbatimin e ligjit,

Gusht 21, 2023 - 14:46
 0
U arrestua polici trafikant në Sarandë/ Zv.Ministri Lamallari: Vetëpastrimi i policisë nuk ka kthim pas

Një skemë të mirëfilltë kriminale kishte ngritur efektivi i policisë Redion Bello, i cili në vend që të punonte për zbatimin e ligjit, ishte kthyer në trafikant droge. Bello i cili prej disa kohësh shërbente brenda rradhëve të uniformave blu, kishte marrë një lokal me qira në Sarandë të cilin e kishte shndërruar në një bazë për shpërndarjen e lëndëve narkotike.

 

Në pranga ka rënë edhe shoku i tij Sejdi Vocka, pasi sipas Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim njëri-tjetrin ishin të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Sipas autoriteteve, nga kontrollet u gjetën edhe 100 doza kanabisi, një pistoletë pa leje si dhe u sekuestruan shuma parash dhe një automjet, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i shitjes së lëndëve narkotike.

 

Zv/ministri i Brendshëm tha se do të vijojnë aksionet për pastrimin e policisë nga personat e inkriminuar.

 

BESFORT LAMALLARI

ZV/MINISTER I BRENDSHEM

 

Rasti më i fundit i arrestimit dhe vendosjes përpara përgjegjësisë penale të një oficeri të Policisë së Shtetit në Sarandë, i dyshuar për veprimtarinë e paligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike, krahas operacionit të pak ditëve më parë në Durrës, janë vetëm 2 prej 14 rasteve të paligjshmërisë dhe njollës së turpit të evidentuara në tre javët e fundit nga një proces vetëpastrimi i radhëve të Policisë, i cili ka hyrë në një fazë të re, pa kthim pas!

 

Deri më tani në procesin e vetëpastrimit të policisë, siç edhe i quan Ministria e Brendshme operacionet kundër efektivëve të inkriminuar, kanë rënë ata të gradave të ulëta dhe deri më tani nuk është prekur asnjë drejtor apo shef komisariati.

 

Sipas shifrave të AMP gjatë vitit 2023 janë arrestuar 35 efektivë, janë pezulluar nga detyra 23 të tjerë, ndërsa janë referuar në prokurori edhe 112 punonjës.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.