U kthye nga Italia dhe punon si nomad digjital, Jegeni: Avantazh, kostot e jetesës dhe ambienti

Udhëtoi drejt Italisë kur ishte 18 vjeç. U kthye në vendlindje 13 vite më vonë. Prej disa muajsh punon online nga Tirana për një kompani me qendër në Itali. Deni Jegeni rrëfen për Agjencinë Telegrafike Shqiptare avantazhet që jeta në Tiranë ofron për një nomad digjital, duke nisur nga kostoja e jetesës, por edhe lehtësitë […]

Dhjetor 17, 2023 - 17:58
 0
U kthye nga Italia dhe punon si nomad digjital, Jegeni: Avantazh, kostot e jetesës dhe ambienti

Udhëtoi drejt Italisë kur ishte 18 vjeç. U kthye në vendlindje 13 vite më vonë. Prej disa muajsh punon online nga Tirana për një kompani me qendër në Itali.

Deni Jegeni rrëfen për Agjencinë Telegrafike Shqiptare avantazhet që jeta në Tiranë ofron për një nomad digjital, duke nisur nga kostoja e jetesës, por edhe lehtësitë fiskale që ofron ligji i miratuar nga parlamenti me kërkesë të qeverisë për t’i hequr taksimin e dyfishtë nomadëve digjitalë.

“Kam ikur nga Tirana kur isha 18 vjeç, u ktheva disa muaj më parë në moshën 31-vjeçare. Mendoj të jetoj dhe qëndroj në Tiranë. Ka patur disa arsye që u mblodhën bashkë dhe që më kthyen këtu. Punoj Remote, online apo siç njihet tanimë me termin “Nomad Digjital”. Tek kompania ku jam angazhuar aktualisht jam prej gati 1 viti dhe, duke parë mundësinë që më jep puna online, vendosa pse jo të kthehem në Shqipëri. Së pari, jam më afër familjes, më pëlqen klima në Shqipëri, ambienti”, tha Jegeni.

“Kështu që vendosa që mos të rri diku jashtë, por të rri në vendin tim, të flas gjuhën time, ku kostot e jetesës në Shqipëri janë relativisht më të mira se në kryeqytetet e tjera të mëdha evropian. Kam jetuar në Itali, Gjermani, dhe në disa vende të tjera që kam vizituar. Unë sot menaxhoj pjesën tregtare të një “Start Up” informatikë që operon nga Italia, por klientët i ka në të gjithë botën. Start up ofron shërbime, por që kryesisht shesim softuer për një proces shumë specifik për integrimin e të dhënave për organizata të mëdha me mbi 10 000 punonjës”, tha Jegeni.

Lidhur me ligjin e miratuar nga qeveria që lehtëson barrën fiskale të nomadëve digjitalë, ai tha se është një temë atraktive. “Po kam dëgjuar për ligjin dhe është mjaft pozitiv. Duke qenë se kam ende rezidencën jashtë vendit, ende nuk kam arritur të përfitoj nga lehtësirat që ofron ligji, por është një ligj mjaft atraktivë për ata që punojnë online”, tha Jegeni.

I pyetur mbi ardhjen e nomadë e digjital në Shqipëri, 31-vjeçari tha se ka shumë anë pozitive, duke nisur nga ndërthurja e kulturave, por edhe fakti se këto individë mund të jenë sipërmarrës dhe të zgjerojnë biznesin e tyre në Shqipëri.

“Unë mendoj që është diçka shumë e mirë që këto njerëz vijnë këtu, i japin një freski të re kulturës lokale. Nga ana tjetër sjellin edhe punë, pasi një nomadë digjital mund të mbështete nga punëtor lokal, pasi nëse atij ose asaj i shtohet puna, mund të lidhet me persona të vendit për të hapur një firmë, apo për të zgjeruar investimin e tij”, tha Jegeni.

I pyetur mbi mundësitë që ofron Tirana, Jegeni tha se ka një aktivitet të shtuar në rrjetet sociale, ku ofrohen hapësira të rëndësishme takimi mes punonjësve digjital dhe sipërmarrësve.

“Jam surprizuar që ka një aktivitet shumë të madh në rrjetet sociale për ato që quhen nomad digjital, por edhe ato që punojnë me teknologjinë në vendin tonë. Disa nga këto organizime kanë aktivitet javor, por edhe më të shpeshtë, të tjera janë më të ralla. Ka dhe nga ato që të mundësojnë lidhje me sipërmarrës vendas”, tha Jegeni.

Në fund ai tha se Tirana duhet të kthehet në një qytet kozmopolitan, ndërsa zonat e tjera të ruajnë kulturën dhe traditën e vendit.

“Për sa i përket Tiranës, të jetë sa në kozmopolitane sa më shumë të jetë e mundur, të zgjerohet përmes këtij brendi Made in Albana në të gjithë botën, duke i dhënë dhe rritje ekonomike vendit. Për zonat jashtë Tiranës, ruani kulturën dhe traditën. Atë duan njerëzit kur vijnë këtu, s’duan hotele luksoze, por bujtinën shqiptare ku  byreku bëhet me dorë, apo bariu kalon në mes të rrugës me dele. Është fantastike ai imazh, që nuk e gjen në vende të tjera”, përfundoi Jegeni.

/a.r

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.