Vrapi me pengesa i Shqipërisë drejt parandalimit të pastrimit të parave në 23 vite

Marrëdhënia e ngushtë e Shqipërisë me Moneyval, mekanizmin e Këshillit të Europës të ngritur në vitin 1997 daton më shumë se dy dekada më parë, në vitin 2000. Në maj të atij viti Parlamenti i Shqipërisë do të miratonte ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave”, bazuar te rekomandimet e Moneyval. Në më shumë se […]

Tetor 29, 2023 - 18:25
 0
Vrapi me pengesa i Shqipërisë drejt parandalimit të pastrimit të parave në 23 vite

Marrëdhënia e ngushtë e Shqipërisë me Moneyval, mekanizmin e Këshillit të Europës të ngritur në vitin 1997 daton më shumë se dy dekada më parë, në vitin 2000.

Në maj të atij viti Parlamenti i Shqipërisë do të miratonte ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave”, bazuar te rekomandimet e Moneyval.

Në më shumë se 23 vite, rruga e Shqipërisë në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave mund të cilësohet plotësisht si një “vrap me pengesa’.

Hyrje-daljet e Shqipërisë në “listën gri” të pastrimit të parave

Ngritja e Drejtorisë ë Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave në vitin 2001 e cila në 2005-n u ngrit në nivelin e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave nuk ishin mjaftueshëm.

Në vitin 2011, Shqipëria u fut nga Moneyval, në “listën gri” të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave (raporti i klasifikon vendet me potencial të lartë të pastrimit të parave në listë të zezë dhe gri).

Më pas, në 2015-n, Shqipëria do të dilte nga lista gri, një vlerësim ky që në atë kohë ishte mjaft pozitiv. Vendi kishte pesë vjet kohë që të adresonte problemet për të dalë përfundimisht nga zona e rrezikut.

Por nuk vonoi shumë dhe në 21 shkurt 2020, Shqipëria u përfshi sërish në këtë listë nga Task-Forca Financiare (FATF) që bashkëvepron me Moneyval, për shkak të “dobësive strategjike”, që u gjetën në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave.

“Mangësitë me pajtueshmërinë teknike u identifikuan në lidhje me sanksionet e synuara financiare, transparencën e rregullimeve ligjore, mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe bizneseve dhe profesioneve jo-financiare”, – vlerësonte Moneyval.

Rreziku i “listës gri”

Futja në listën gri të Task Forcës për Veprim Financiar, jo rastësisht shihet me shqetësim sa herë që ndodh për një vend. Ndikimet, edhe pse nuk janë të drejtpërdrejta për qytetarët e thjeshtë, në një efekt zinxhir transmetohen në hallka të ndryshme.

“Të qenit në listën gri nuk imponon sanksione ekonomike, por shërben si një sinjal për sistemin bankar dhe financiar global lidhur me risqet e rritura në transaksionet e vendeve në fjalë. Industria bankare dhe ajo e jashtme me shumë gjasa preken në mënyrë më direkte. Bankat korrespondente globale apo institucionet e tjera financiare ndërmjetëse të përfshira në transaksione kërkojnë kujdes të shtuar,” shpjegon Brikena Kasmi, ish-zëvendësministre e Drejtësisë.

Amnistia Fiskale si “vulë” e rrezikut të pastrimit të parave

Vetëm një javë nga vendimi i FATF-Moneyval për ta futur Shqipërinë në listën e vendeve me rrezikut të lartë të pastrimit të parave, me qëllim legalizimin e të ardhurave të punëtorëve informalë, qeveria propozoi nismën e “Amnistisë Fiskale” më 29 shkurt 2020. Nën sloganin “tregoni xhepat” kryeministri Rama u shpreh se nisma do ketë në thelb “formalizimin e kapitalit”. Ai njoftoi se nisma pasi të kalonte në qeveri do të miratohej brenda muajit maj 2020 në Parlament.

“Ne do të lançojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë. Paratë t’i fusin nëpër banka. Asetet t’i deklarojnë. Jo një, apo dy organizata, por bota mbarë të ngrihet të thotë “kjo nuk bëhet”, kjo do bëhet” – shprehej kryeministri Rama më 29 shkurt 2020.

Por nisma hasi kundërshtinë e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionin Europian.

“Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cënonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion”- deklaronte FMN në korrik të vitit 2020.

Duke argumentuar se kishte reflektuar përmbajtjen duke u bazuar te rekomandimet e ndërkombëtarëve, qeveria e ri-propozoi nismën në tryezat e institucioneve të Bashkimit Europian.

Përmes një deklarate të shpërndarë nga delegacioni i BE-së në Tiranë në korrik të vitit të shkuar Komisioni Europian deklaronte se drafti dobësonte kontrollin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.

“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore,” thuhej në deklaratë.

Tre vite e gjysmë për të pastruar imazhin

Në një konferencë të përbashkët me shefen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Anke Weber dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete njoftoi dalën e Shqipërisë nga lisat gri e pastrimit të parave.

Për të “pastruar imazhin”, Shqipëria ka pasur si kusht nga Task Forca Financiare e Moneyval të rishikonte qëndrimin e saj në drejtim të Amnistisë Fiskale. A2 CNN e pyeti ministrin Mete nëse Shqipëria ndërkohë ishte tërhequr nga nisma, por ky i fundit nuk dha një përgjigje ezauruese nëse qeveria ka hequr dorë apo jo nga nisma.

“Ne nuk do të ndërmarrim asnjë masë që bie ndesh me parimet në këtë fushë, me rekomandimet FATF apo me praktika të ngjashme të marrë në vendet e tjera. Çdo masë është në pajtueshmëri me praktikat e tjera.” – tha Mete.

Në një komunikatë zyrtare, MoneyVal bëri me dije arsyet kryesore, pse Shqipëria doli nga lista gri. Sipas mekanizmit të Këshillit të Europës, vendi përmbushi këto detyra:

·         Kryerjen e analizave shtesë të thelluara për të kuptuar mjaftueshëm pastrimin e parave

·         Duke përmirësuar trajtimin në kohë të kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike;

·         Krijimin e mekanizmave efektivë për zbulimin e infiltrimit kriminal në ekonomi

·         Rritjen e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe

·         Përmirësimin e zbatimit të sanksioneve financiare të synuara

Çfarë sjell për ekonominë, pastrimi i imazhit të Shqipërisë

“Ndikimi më i madh ka të bëjë me faktin se një vend që del nga kjo listë bëhet interesant për investimet e huaja direkte dhe në borxhin publik, që Shqipëria mund të dalë sërish në tregun ndërkombëtar dhe vlerësimi i Shqipërisë si një partner më i sigurt financiar” – vlerëson ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë” – Arben Malaj

Në një artikull të vitit 2018, të titulluar “Pasojat ekonomike e “listës gri” të pastrimit të parave” –The Economist vlerëson ndër të tjera se “historia mund të përsëritet nëse bëjmë të njëjtat gabime.” Ky paralajmërim është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë që ka provuar shumë hyrje-dalje në listën gri.

A2News

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.