Vrau të birin dhe tentoi të fshihte ngjarjen, mbyllen hetimet, prokuroria dërgon në gjyq prindërit

Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet për Shefki Bylykbashin, i cili vitin e kaluar vrau të birin me sende të forta. Viktima, Hamdi

Maj 12, 2024 - 10:40
 0
Vrau të birin dhe tentoi të fshihte ngjarjen, mbyllen hetimet, prokuroria dërgon në gjyq prindërit

Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet për Shefki Bylykbashin, i cili vitin e kaluar vrau të birin me sende të forta.

Viktima, Hamdi Bylykbashi i divorcuar nga bashkëshortja, jetonte jashtë shtetit, ndërsa kishte disa muaj që ishte kthyer nga Franca.

Ai konsumonte alkool çdo ditë, ndërsa një ditë më parë, është konfliktuar me babanë duke tentuar ta shtyjë në pus, ndërsa ky i fundit i është kthyer duke e goditur me çekiç.

Babai i viktimës, Shefki Bylykbashi ra në prangat e policisë, si i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë. Sipas kryeplakut të fshatit, autori vuante nga skleroza.

50- vjeçari ndërroi jetë gjatë transportimit për në spitalin e Korçës, nga dëmtimet që kishte marrë në kokë.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Njoftimi:

Vrau të birin dhe tentoi t’a fshehë si aksident, Prokuroria Korçë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq prindërit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Sh.B. i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” si dhe shtetasen H.B. për kryerje të veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/ i Kodit Penal.

Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit për procedimin penal nr.126/2023, rezulton e provuar se në datën 17.02.2023, rreth orës 16:00, është marrë njoftim se në Urgjencën e Spitalit Rajonal Korçë, ishte transportuar me autoambulancë për të marrë ndihmë mjekësore shtetasi H. B., me dëmtime në pjesën e kokës. Ky shtetas, pak çaste më vonë, ka ndërruar jetë në ambientet e reanimacionit të këtij spitali. Sipas pretendimeve të para të familjarëve, ai ishte rrëzuar dhe kishte vrarë kokën, në oborrin e banesës, duke qenë në gjendje të dehur.

Nga veprimet hetimore, rezultoi se ngjarja e paraqitur si aksidentale, në fakt ishte ngjarje kriminale dhe në orën 02:00, të datës 18.02.2023, u bë arrestimi në flagrancë i babait të viktimës, shtetasit Sh. B., si i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale, konkretisht “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal”, i cili pranoi autorësinë e krimit.

Është marrë deklarim nga shtetasia H.B., mamaja e viktimës, e cila ka deklaruar se i biri është kthyer nga Franca pasi është divorcuar me të shoqen dhe që atëherë konsumonte shumë alkool. Ajo ka qenë me bashkëshortin në banesë kur ka dëgjuar zhurmën e derës së oborrit. Ata kanë dalë dhe kanë parë Hamdiun, i cili ishte i gjakosur nga koka dhe ata e kanë futur në shtëpi. Çka nuk rezultoi e vërtetë.

Sa më sipër, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dhe aktet e administruara në fashikullin e procedimit penal, rezulton e provuar se shtetasi Sh. B., ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, pasi me veprimet e tij aktive, të kundërligjshme, të kryera me dashje, ka vrarë djalin e tij, shtetasin H.B.

Në rastin konkret, autori me dashje dhe me vullnet të plotë si dhe me qëllimin për ta vrarë, ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë. Ai ka marrë dhe ka përdorur çekiç gurësh dhe dru zjarri si armë të krimit dhe pasi i ka dhënë goditjet fatale të birit, është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës, duke përforcuar idenë që veprimet e tij në drejtim të vrasjes të të birit kanë qënë të vullnetshme dhe të qëllimta për të sjellë pasojën e dëshiruar, humbjen e jetës të të birit.

Sa më sipër e bazuar në kërkesat e nenit 331 të K.Proc.Penale Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kërkoi:

– Dërgimin në gjyq të çështjes penale Nr.126/2023 me të pandehur shtetasin Sh. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal dhe me të pandehur shtetasen H. B., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal. /vizionplus.tv

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.