Vuçiç mori garanci për mosnjohje të Kosovës, Kurti “i gëzohet” shkëmbimit tregtar me Greqinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ftuar që të vizitojë Kosovën, homologun grek, Kyriakos Mitsotakis dhe përmes tij edhe bizneset greke të investojnë në Kosovë, duke i treguar se me qeverinë e tij “shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro”. […]

Gusht 22, 2023 - 15:30
 0
Vuçiç mori garanci për mosnjohje të Kosovës, Kurti “i gëzohet” shkëmbimit tregtar me Greqinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ftuar që të vizitojë Kosovën, homologun grek, Kyriakos Mitsotakis dhe përmes tij edhe bizneset greke të investojnë në Kosovë, duke i treguar se me qeverinë e tij “shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro”.

Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit së Kosovës, pas takimit në pallatin Maximos, thuhet se “takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike” dhe se “kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë”.

Njoftimi tregon gjithashtu se Kurti e ka ftuar Mitsotakis për vizitë “dhe për më shumë investime në Kosovë”.

Kryeministri grek kishte paraprakisht edhe një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe ky i fundit tha se doli nga takimi me garanci që “Greqia nuk do ta ndryshojë qëndrimin msonjohës për Kosovën”, por komunikata e Qeverisë së Kosovës shkruan se “Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht”.

Madje, përmirësimi nuk po ndodhë vetëm në rrafshin ekonomik, por “edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucionalë”.

Kurti e falënderoi kryeministrin Mitsotakis për ftesën dhe për darkën.

Pos liderëve të Ballkanit, të ftuar nga nikoqiri grek për 20 vjetorin e Samitit të Selanikut, ishin edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Pjesë e pashmangshme e bisedës, sipas komunikatës qeveritare, ishte edhe “dialogu në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal”.

“Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime” dhe kujtoi se “pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm”.

Njoftimi i Qeverisë tregon se Kurti i ka folur Mitsotakis edhe për energjinë dhe potencialin investues në këtë fushë.

“Me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era”, thuhet t’i këtë kumtuar Kurti liderit grek.

Në fund të takimit, “kryeministri i ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës”.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.