Zbulohet plani anti-Sunak, Boris Johnson rikthehet si kryeministër në koalicion me “babain” e Brexit
Mbi pjatat me ravioli dhe mëlçi viçi, të shoqëruara me verë të kuqe nga Italia e jugut, armiqtë politikë të Rishi Sunak kanë komplotuar lëvizjen e tyre të radhës kundër qeverisë. Te restoranti Giovanni’s i aristokratit siçilian Konti Pino Ragona në Covent Garden të Londrës sipas DailyMail nga Konservatorët që qëndrojnë kundër Sunak është thurur […]
Mbi pjatat me ravioli dhe mëlçi viçi, të shoqëruara me verë të kuqe nga Italia e jugut, armiqtë politikë të Rishi Sunak kanë komplotuar lëvizjen e tyre të radhës kundër qeverisë.
Te restoranti Giovanni’s i aristokratit siçilian Konti Pino Ragona në Covent Garden të Londrës sipas DailyMail nga Konservatorët që qëndrojnë kundër Sunak është thurur një plan për rrëzimin e kryeministrit para zgjedhjeve parlamentare.
Komplotistët janë një grup deputetësh dhe strategësh politikë, të cilët kanë lëshuar një rrëke titujsh në media që dëmtojnë Sunak, duke lëkundur Downing Street pas shkarkimit të Suella Braverman si Sekretare e Brendshme.
Letra e saj brutale personale e ndarjes u pasua nga dorëheqja e Ministrit të Emigracionit Robert Jenrick dhe tashmë brenda partisë ka një front që punon qartë e pastër kundër Sunak.
Mes këtyre raportimeve, një tjetër lajm i bujshëm është ai i një plani për të rikthyer Boris Johnson si kryeministër, madje duke marrë në konsideratë edhe një binjakëzim lidershipi me “babain” e Brexit, Nigel Farage.
The Mail on Sunday ka folur me deputetë të shumtë konservatorë, të cilët besojnë se rikthimi i ish-kryeministrit është mënyra e vetme për të shpëtuar partinë nga humbja në zgjedhje dhe bashkëpunimi me Farage shihet si “biletë ëndrrash” për fitoren.
Sipas artikullit të Mail, deputetët synojnë të rebelohen me votat e tyre në Dhomën e Komunëve dhe të bëjnë ndërhyrje gjithnjë e më të hapura, ndërsa aksioni mund të pasohet edhe me dorëheqje të ministrave të tjera nga kabineti i Sunak.
Një nga komplotistët ka pranuar se qëllimi final është “shkundja” e qeverisë Sunak dhe instalimi i një lideri që mund të mbyllë hendekun me partinë laburiste të Keir Starmer, që del triumfuese në sondazhe.
Deputetët janë në panik për shifrat e sondazheve që tregojnë rënie në radhët e mbështetësve të konservatorëve, por edhe për faktin se më shumë votues po mbështesin Partinë e Reformës, pasuese e Partisë Brexit të Nigel Farage, pas performancës së liderit në show-n televiziv “I’m A Celebrity”.
Rebelët konservatorë argumentojnë se Johnson është i vetmi konservator me fuqinë tërheqëse për të neutralizuar ndikimin e Farage, veçanërisht në vendet e “Murit të Kuq” në Midlands dhe në Veri, ku ai mposhti Laburistët në zgjedhjet e përgjithshme të 2019-ës.
Teksa zërat për koalicionin mes tyre kanë marrë dhenë, një zëdhënës i Johnson foli mbrëmë për mediat duke mohuar ambiciet e tij politike, ndërsa në kampin e Partisë Reforma, një burim i afërt me Farage këmbënguli se çdo pakt mes dy peshave të rënda do të “përfundonte shpejt në lot”.
Një garë lidershipi do të fillonte më pas nëse të paktën 53 letra mosbesimi ndaj Sunak do t’i dërgoheshin Sir Graham Brady, kryetar i Komitetit të 1922-tës.
Një sugjerim tjetër është që një aleat i Johnsonit, si ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel, të vendoset si kryeministre në detyrë.
Johnson më pas do të kandidojë në zgjedhjet për deputet, për t’u rikthyer më pas në Downing Street si kryeministër. Nëse koalicioni me Reformën do të konkretizohej, Farage do të bëhej president nderi i partisë, dhe udhëheqësi i saj Richard Tice do të merrte poste kyçe ministrore.
Të gjitha këto lajme vijnë në një kohë kur Sunak do t’i duhet të përballet të martën me një votëbesim që lidhet me planin e tij për të dërguar emigrantët të cilët mbërrijnë nga “La Manshi”, në Ruanda./m.j
What's Your Reaction?